Zhvillohet takimi “Figurat e Reja Profesionale dhe e Ardhmja e Tyre”
November 27, 2024
Tiranë, 12 Nëntor 2024 – U zhvillua me sukses konferenca me temë “Figurat e Reja Profesionale dhe e Ardhmja e Tyre”, e cila mblodhi ekspertë dhe profesionistë nga fusha e shërbimeve sociale për të diskutuar rreth roleve dhe figurave të reja profesionale që po krijohen për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme të kategorive në nevojë.
Konferenca vuri në dukje rëndësinë jetike të rolit të punonjësit social, i cili mbetet i pazëvendësueshëm në strukturën e shërbimeve sociale dhe nuk mund të zëvendësohet nga asnjë profil tjetër profesional. Përfaqësuesit dhe panelistët theksuan se punonjësit socialë janë thelbësorë për garantimin e ndërhyrjeve cilësore dhe të qëndrueshme për personat në nevojë.
Në të njëjtën kohë, u prezantuan figurat e reja profesionale si:
- Operatorët social-shëndetësorë,
- Familjet kujdestare profesionale,
- Punonjësit e kujdesit social, dhe
- Ndihmësit personalë,
të cilëve u është besuar një rol mbështetës për të lehtësuar dhe përforcuar punën e përditshme të punonjësve socialë. Këto figura janë krijuar për të adresuar më mirë nevojat e individëve dhe grupeve vulnerabël duke ofruar mbështetje të specializuar dhe të orientuar drejt zgjidhjes.