Misioni i Urdhrit
Misioni i Urdhrit është garantimi dhe ruajtja në vazhdimësi e standardeve dhe praktikave të mira të ushtrimit të profesionit në fushën e punës sociale dhe mbrojtja e publikut nga veprimet joprofesionale dhe joetike të punonjësve socialë.
Kompetencat e Urdhrit të Punonjësve Socialë
Për realizimin e misionit të tij, Urdhri i Punonjësve Socialë ushtron këto kompetenca:
- jep dhe heq të drejtën e ushtrimit individual të profesionit të punonjësit social nëpërmjet dhënies dhe revokimit të licencës profesionale;
- krijon dhe përditëson regjistra të posaçëm, sipas fushës së veprimtarisë dhe profileve;
- miraton standarde etike të detyrueshme për punonjësit socialë, si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre në praktikën profesionale;
- mbron të drejtat e anëtarëve të urdhrit, integritetin moral dhe profesional të tyre, si dhe pavarësinë e ushtrimit të profesionit;
- nxit në vazhdimësi punonjësit socialë në përdorimin e standardeve më të larta dhe të praktikave më të mira në fushën e punës sociale;
- kontribuon, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, për sigurimin e standardeve më të larta dhe praktikave më të mira në edukimin dhe formimin etik, profesional dhe shkencor të punonjësit social;
- kontribuon, në marrjen e masave të nevojshme e të përshtatshme për mbrojtjen dhe përmirësimin e mbrojtjes e mirëqenies sociale të popullatës;
- informon publikun përmes njoftimeve, buletineve periodike, botimeve shkencore dhe botimeve të tjera të veçanta, nëpërmjet medias elektronike dhe asaj të shkruar;
- kontribuon në zbatimin e programeve shtetërore, të enteve dhe organizatave të tjera publike e private, në funksion të interesit publik.