DEKLARATË PUBLIKE Për fuqizimin e profesionit të Punonjësit Social në Shqipëri

Në kuadër të Muajit të Punës Sociale, i drejtohemi me një thirrje të qartë dhe të drejtpërdrejtë institucioneve publike dhe vendimmarrësve në Shqipëri: profesioni i punonjësit social duhet të trajtohet me seriozitetin, respektin dhe mbështetjen që meriton.

Në çdo shoqëri demokratike dhe të zhvilluar, punonjësit socialë janë profesionistë kyç për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për garantimin e mirëqenies sociale dhe për ndërtimin e komuniteteve të sigurta dhe gjithëpërfshirëse. Ata janë në vijën e parë të ndërhyrjes në situata krize, varfërie, dhune, përjashtimi social dhe padrejtësie.

Megjithatë, në Shqipëri profesioni i punonjësit social vazhdon të përballet me nënvlerësim institucional, mungesë mbështetje, numër të pamjaftueshëm profesionistësh dhe trajtim të pabarabartë në raport me profesionet e tjera.

Kjo situatë duhet të ndryshojë. Ne i bëjmë thirrje institucioneve shtetërore kryesore, pushtetit vendor dhe të gjithë punëdhënësve publikë e privatë që të ndërmarrin masa të menjëhershme për:

1. Përmirësimin e trajtimit financiar dhe kushteve të punës

Punonjësit socialë duhet të trajtohen financiarisht në përputhje me përgjegjësitë e tyre profesionale dhe ndikimin që puna e tyre ka në mirëqenien e shoqërisë.

2. Trajtimin me dinjitet dhe barazi profesionale

Punonjësit socialë duhet të trajtohen me të njëjtin respekt profesional si profesionet e tjera të shërbimit publik, duke njohur rolin e tyre në mbrojtjen e qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit social.

3. Përmirësimin e protokolleve institucionale dhe të praktikave të punës

Institucionet publike duhet të rishikojnë dhe përmirësojnë mënyrën e integrimit të punonjësve socialë në sistemin arsimor, në bashki, në njësitë administrative dhe në të gjitha strukturat që ofrojnë shërbime sociale.

4. Respektimin e kompetencave profesionale në sistemin e drejtësisë

Vlerësimet socio-ekonomike dhe familjare janë kompetencë profesionale e punonjësve socialë dhe duhet të realizohen vetëm nga profesionistë të kualifikuar dhe të licencuar.

5. Rritjen e ndjeshme të numrit të punonjësve socialë në institucionet publike

Punonjësit socialë duhet të jenë të pranishëm në mënyrë sistematike në:

• shkolla dhe institucione arsimore

• qendra shëndetësore dhe spitale

• shërbimet e shëndetit mendor

• institucionet e vuajtjes së dënimeve dhe shërbimin e provës

• strukturat e mbrojtjes së fëmijëve

• bashkitë dhe njësitë administrative

• qendrat e shërbimeve sociale

• strukturat e emergjencave civile dhe menaxhimit të krizave

• komisariatet e policisë, veçanërisht në rastet që përfshijnë të mitur si autorë, viktima apo dëshmitarë.

6. Zbatimin rigoroz të legjislacionit për profesionin

Të gjitha institucionet që kanë detyrim ligjor për të punësuar punonjës socialë duhet të respektojnë kërkesën që profesionistët të jenë të diplomuar, të licencuar dhe të anëtarësuar në Urdhrin e Punonjësve Socialë.

7. Përfshirjen e punonjësve socialë si ekspertë në proceset gjyqësore dhe institucionale

Gjykatat dhe institucionet e drejtësisë e kanë me detyrim ligjor të përdorin ekspertizën profesionale të punonjësve socialë në rastet që lidhen me familjen, fëmijët, dhunën në familje dhe çështjet sociale.

8. Zgjerimin e rolit të punonjësve socialë në sektorë të tjerë strategjikë

Praktikat më të mira ndërkombëtare tregojnë se punonjësit socialë duhet të jenë të përfshirë në mënyrë aktive edhe në:

• sistemin e shëndetit publik dhe shëndetit mendor

• shërbimet e migracionit dhe integrimit të migrantëve

• programet kundër varfërisë dhe përfshirjes sociale

• politikat e strehimit social

• programet e rehabilitimit dhe riintegrimit social

• programet për personat me aftësi të kufizuara

• shërbimet për të moshuarit

• ndërhyrjet në situata emergjente dhe fatkeqësi natyrore

• programet e parandalimit të dhunës dhe kriminalitetit

• zhvillimin e komuniteteve dhe politikave sociale.

9. Garantimin e edukimit në vazhdim për profesionistët

Punëdhënësit duhet të garantojnë pjesëmarrjen e punonjësve socialë në programe të edukimit profesional në vazhdim, në mënyrë që ata të përditësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në përputhje me zhvillimet e shoqërisë.

Shoqëria shqiptare përballet çdo ditë me sfida komplekse sociale. Pa një profesion të fuqizuar të punës sociale, këto sfida nuk mund të adresohen në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme.

Investimi në profesionin e punonjësit social nuk është thjesht një çështje profesionale, është një investim në drejtësinë sociale, në mbrojtjen e qytetarëve dhe në të ardhmen e shoqërisë sonë.

Është koha që institucionet të veprojnë.

#MuajiIPunësSociale

#FuqizojmëPunonjësitSocialë