Zhvillohet Konferenca e 5-të Shkencore Ndërkombëtare “Arritjet dhe Sfidat e Profesionit të Punës Sociale”
June 1, 2023

Departamenti i Psikologjisë dhe Punës Sociale, Fakulteti i Shkencave të Edukimit i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Departamentin e Punës Sociale dhe Politikës Sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, Departamentin e Shkencave Shoqërore të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe në partneritet me Shoqatën Kombëtare të Punonjësve Socialë të Shqipërisë dhe Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë, organizuan me 31 maj 2023, Konferencën e 5-të Shkencore Ndërkombëtare “Arritjet dhe Sfidat e Profesionit të Punës Sociale”.
Konferenca u fokosua në shtyllat kryesore të edukimit, kërkimit dhe praktikës në punën sociale. Qëllimi i kësaj konference ishte gjithashtu zhvillimi dhe promovimi i qasjeve të ndryshme të kërkimit akademik dhe shkencor për ngritjen e urave të bashkëpunimit nëpërmjet profesionistëve të punës sociale.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninën e hapjes së Konferencës, Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë Z. Mirgit Vataj u fokusua tek arritjet që Urdhri ka realizuar deri tani në rregullimin e profesionit dhe fillimin e procesit të licensimit. Ai gjithashtu u ndal dhe tek sfidat me të cilat përballen profesionistët e punës sociale dhe vuri në dukje faktin se është momenti që punonjësit socialë të trajtohen me dinjitetin që meritojnë. Urdhri i Punonjësve Socialë do të vazhdojë të avokojë me të gjitha institucionet në interes të profesionistëve, me qëllim që punonjësit socialë të motivohen përballë sfidave dhe vështirësive që ndeshin çdo ditë në ofrimin e shërbimeve.
Në këtë event morën pjesë pedagogë dhe kërkues shkencorë nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile si dhe studentë. Ata shkëmbyen eksperiencat e tyre nëpërmjet punimeve shkencore, lidhur me tematikat kryesore të konferencës.