Takimi me Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit në Kuadër të Procesit të Rekrutimit të Punonjësve të Shërbimit Psikosocial
August 23, 2022

Në kuadër të proçesit të rekrutimit të punonjësve të shërbimit psikosocial pranë institucioneve arsimore Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i kritereve dhe dokumentacionit që duhet të dorëzohet nga aplikantët punonjës social. Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit u informuan së Urdhri i Punonjësve Socialë akoma nuk ka filluar proçesin e liçensimit, proçes i cili do të fillojë brenda muajit tetor në kuadër të të gjithë përgatitjeve që po bën Urdhri në krijimin e proçedurave dhe praktikave të nevojshme.
Gjatë këtij takimi u arrit një marrëveshje e cila ju jep mundësinë të gjithë punonjësve socialë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e shërbimit psikosocial në institucionet arsimore pavarësisht mungesës së liçensës dhe pa patur nevojë të marrin vertetim pranë Urdhrit si dokumentacion shoqërues. Ata që do të përzgjidhen do të kenë një afat kohor në dispozicion të dorëzojnë liçensat në momentin që Urdhri i Punonjësve Socialë do të fillojë këtë proçes.
Urdhri i Punonjësve Socialë për të lehtësuar dhe ndihmuar të gjithë punonjësit social që do të aplikojnë për t’u bërë pjesë e shërbimit psikosocial në institucionet arsimore po përgatit një MEMO informuese e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të ndahet me të gjithë Drejtoritë Rajonalë të Arsimit Parauniversitar në vend.
Për çdo shqetësim që do ndeshni gjatë dorëzimit të dokumentacionit për t’u bërë pjesë e shërbimit psikosocial në institucionet arsimore na shkruani në adresën e emailit ups.shqiperi@yahoo.com