Urdhri i Punonjësve Sociale merr pjesë në Forumin Kombëtar “Shërbime të Integruara Shëndetësore dhe Sociale më afër Fëmijëve dhe Familjeve

Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë, Z. Mirgit Vataj, mori pjesë në Forumin Kombëtar “Shërbime të Integruara Shëndetësore dhe Sociale më afër Fëmijëve dhe Familjeve” në Lezhë. Gjatë fjalës së tij, Z. Vataj theksoi rolin e pazëvendësueshëm të punonjësve socialë në fushën e shëndetit dhe rëndësinë e tyre në përmirësimin e funksionimit social dhe emocional të individëve dhe familjeve të pacientëve.

Punonjësit socialë, krahas mjekëve dhe infermierëve, ndërhyjnë në mjediset dhe marrëdhëniet sociale, duke marrë parasysh faktorët socio-ekonomikë, kulturorë, psikologjikë dhe politikë, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e pacientëve. Ky integrim inovativ i shërbimeve sociale në sektorin shëndetësor po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, duke siguruar mbështetje psikosociale për pacientët dhe koordinimin e shërbimeve ndër-institucionale.

Me pjesëmarrjen e tij në këtë forum, Z. Vataj dha një kontribut të vlefshëm për të nxitur bashkëpunimin dhe integrimin e punonjësve socialë në sistemin e shërbimeve shëndetësore, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës së pacientëve dhe familjeve të tyre.

Ky forum u organizua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me zyrën e UNICEF Shqipëri.