RESPEKTOJMË DIVERSITETIN PËRMES VEPRIMEVE TË PËRBASHKËTA SOCIALE
March 20, 2023

Të dashur kolegë dhe partnerë,
Urdhri i Punonjësve Socialë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me rastin e Ditës Botërore të Punës Sociale, do të zhvillojë aktivitetin promovues për punën sociale – “RESPEKTOJMË DIVERSITETIN PËRMES VEPRIMEVE TË PËRBASHKËTA SOCIALE”, diten e nesërme me datë 21 Mars 2023, ora 10:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Muaji mars i dedikohet profesionit të punës sociale dhe shërben si një reflektim për rëndësinë që ka ky profesion për ofrimin e shërbimeve ndaj çdo individi në nevojë.
Urdhri i Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë u krijua në dhjetor 2021. Shërbimet e kujdesit shoqëror në Shqipëri janë përmirësuar dhe zgjeruar ndër vite, duke sjellë dhe nevojën për profesionistë të kualifikuar dhe të certifikuar profesionalisht.
Në ditën Botërore të Punës Sociale do të akordohen licensat e para për punonjësit socialë në Republikën e Shqipërisë, pas një procesi të gjatë pune të organeve kompetente të Urdhrit të Punonjësit Social. Licensimi i punonjësve socialë dhe standardizimi i këtij profesioni do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë së shërbimeve sociale në vend.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka luajtur një rol thelbësor në krijimin dhe funksionimin e Urdhrit të Punonjësit Social.
Zyra e UNICEF në Shqipëri ka mbështetur ndër vite profesionin e punës sociale përmes partneritetit dhe bashkëpunimit në shumë fusha të politikave sociale, shërbimeve sociale dhe ndërtimin e kapaciteteve të profesionistëve.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, përmes programit “BE për Përfshirjen Sociale”, mbështet reformat në fushën e përfshirjes sociale dhe është partner dhe bashkëpunëtor në këtë aktivitet.