Organizohet tryezë e rrumbullakët në Elbasan
December 12, 2024

Urdhri i Punonjësve Socialë të Shqipërisë organizoi më 12 dhjetor 2024 në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Edukimit (FSHE) në Elbasan, një tryezë të rrumbullakët me temë: “Parandalojmë dhunën në shkollë me fuqizimin e rolit të punonjësit social”. Aktiviteti u organizua nga Departamenti i Shkencave Sociale dhe Edukimit Qytetar, nën drejtimin e pedagogeve Dr. Sabina Belshaku dhe Dr. Alisa Bicoku dhe Urdhri i Punonjësve Socialë.
Tryeza u fokusua në problematikat sociale të sistemit arsimor, duke përfshirë sigurinë në shkollë, apatinë prindërore, çrregullimet psiko-emocionale të nxënësve, bullizmin dhe agresivitetin. U theksua nevoja për të fuqizuar rolin e punonjësit social në shkollë si një figurë kyçe për parandalimin e konflikteve dhe ndërlidhjen mes familjes, shkollës dhe komunitetit.
Në takim morën pjesë Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë të Shqipërisë, z. Mirgit Vataj, Drejtoresha e Shërbimit Psikosocial për qarkun Elbasan, znj. Sonila Jaupbashi, si dhe profesionistë të punës sociale. Diskutimet u përqendruan në trajtimin e rasteve të dhunës në shkollë, instrumentet e standardizuara për ndërhyrje, funksionimin e ekipeve multidisiplinare dhe përmirësimin e sistemit të referimit.
Pjesëmarrësit theksuan se, ndonëse numri i punonjësve socialë në shkolla është rritur, shërbimet mbështetëse mbeten të pamjaftueshme për të adresuar numrin e lartë të konflikteve mes nxënësve. U diskutua mbi rëndësinë e pranisë së më shumë punonjësve socialë për të mbështetur fëmijët në zhvillimin e tyre akademik dhe social.
