NJOFTIM-KRITERET, STANDARDET DHE PROCEDURAT PËR RILICENCIMIN E PUNONJËSVE SOCIALË
May 21, 2024

Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Punojësve Socialë në mbledhjen e zhvilluar me datë 7 Maj 2024 ka marrë vendim që kriteret, standardet dhe procedurat për edukimin në vazhdim dhe rilicencimin e punonjësve socialë do jenë bazuar në VKM Nr. 624, datë 29.7.2020 për kriteret dhe procedurën e programit të certifikimit të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror.
Sipas vendimit të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Punonjësve Socialë punonjësi/ja social/e e planifikon vetë pjesëmarrjen në aktivitete të edukimit në vazhdim, bazuar në nevojat e tij profesionale, nevojat e identifikuara nga institucioni ku ushtron aktivitetin dhe kompetencat e dëshiruara. Punonjësi social zgjedh ato aktivitete që bazohen në nevojat e perceptuara nga ai vetë, si dhe në ato që janë identifikuar nga vlerësime të tjera. Aktiviteti i edukimit në vazhdim duhet të ketë lidhje me specialitetin, rolin profesional dhe përgjegjësitë që ka punonjësi/ja social/e në pozicionin aktual të punës.
Brenda një cikli 5-vjeçar, punonjësi socialë duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 60 kredite të edukimit në vazhdim. Numri i nevojshëm për rilicencim i krediteve të edukimit në vazhdim, që një punonjës social duhet të mbledhë, sipas kategorive të aktiviteteve, është si më poshtë:
- jo më pak se 50% të krediteve të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm të akredituara për punonjësit social
- jo më shumë se 50% të krediteve të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm në distancë, të akredituara.
- jo më shumë 25% të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit në vazhdim, të zgjedhura lirisht, të vetëraportuara dhe dokumentuara nga profesionisti.
- Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për punonjës socialë është 12 kredite.
- Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohet nga zgjedhja e lirë e punonjës social, në bazë të nevojave individuale.
Në ditët në vijim Urdhri i Punonjësve Social do të publikojë një sesion me pyetje përgjigje më të detajuara në lidhje me edukimin në vazhdim dhe gjithashtu do të zhvillohen takimë në të gjitha qarqet Shqipërisë për të qartësuar të gjitha proceset që duhen ndjekur nga punonjësit socialë.
Gjithashtu nëpërmjet këtij njoftimi Urdhri i Punonjësve Socialë i drejtohet të gjithë aktorëve të interesuar për të ofruar aktivitete të edukimit në vazhdim për punonjësit socialë t’i drejtohen Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror ACSK që të ndjekin procedurat ligjore për akreditimin e programeve të tyre. Urdhri i Punonjësve Socialë do të njohë çdo program të akredituar nga ACSK.