Mbyllet Faza e Dytë e Aplikimeve për tu Regjistruar, Anëtarësuar dhe Liçensuar nga Urdhri i Punonjësve Socialë

Të nderuar kolegë,

Me datë 10 Shkurt 2023 u mbyll dhe faza e dytë e aplikimeve për tu regjistruar, anëtarësuar dhe liçensuar nga Urdhri i Punonjësve Socialë. Gjatë dy fazava të para Tetor-Nëntor 2022 dhe Janar-Shkurt 2023 kanë aplikuar gjithsej 624 punonjës social!

Komisioni i Liçensimit ka filluar punën gjatë muajit Shkurt dhe deri tani ka shqyrtuar 120 aplikimet e para për liçensim. Mbetemi shpresëplotë që brenda muajit Shkurt të shqyrtohen të gjitha aplikimet për liçensim të fazës së parë Tetor-Nëntor 2022.

Të gjithë aplikimet për liçensim të miratuara nga Komisioni i Liçensimit do të publikohen në të gjitha kanalet tona të komunikimit. Pasi të publikohen emrat, aplikantët do të paguajnë tarifën e liçensimit e miratuar nga Këshilli Kombëtar në vlerën 15.000 lekë (të reja) dhe më pas do të tërheqin liçensën. Liçensa është e vlefshme për 5 vite.

Urdhri i Punonjësve Socialë po punon intensivisht me një sërë institucionesh në mënyrë që të krijohen hapësira të reja për punonjësit socialë për ushtrimin e profesionit.

Javën e ardhshme do të hapet faza e 3-të e aplikimeve për të gjithë të diplomuarit pas vitit 2020 dhe për të gjithë individët të cilët kanë ushtruar profesionin e punonjësit social (për një periudhë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet) por nuk kanë të dyja nivelet e studimit (bachelor,master) në punë sociale. Urdhri i Punonjësve Socialë në Shqipëri do të shpallë një njoftim zyrtar për fillimin e aplikimeve.

Urdhri i Punonjësve Socialë në Shqipëri mbështetet nga zyra e UNICEF Albania