LICENSOHEN 300 PUNONJËSIT E PARË SOCIALË
March 21, 2023

Sot, më 21 Mars 2023, Urdhri i Punonjësve Social në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zhvilloi aktivitetin promovues për punën sociale – “RESPEKTOJMË DIVERSITETIN PËRMES VEPRIMEVE TË PËRBASHKËTA SOCIALE”, me rastin e Ditës Botërore të Punës Sociale.
Në këtë ditë Boterore të Punës Sociale u akorduan licensat e para për punonjësit socialë në Republikën e Shqipërisë, pas një procesi të gjatë pune të organeve kompetente të Urdhrit të Punonjësit Social.
Kryetari i Urdhrit, Z. Mirgit Vataj, foli për rëndësinë e kësaj dite si dhe për aktivitetin e institucionit. Gjatë gjithë vitit 2022 Urdhri i Punonjësve Socialë ka punuar intensivisht për të pregatitur të gjitha rregulloret enevojshme për ta bërë Urdhrin një institucion funksional dhe efektiv. Gjatë dy fazave të thirrjeve janë regjistruar dhe antarësuar pranë Urdhrit 628 Punonjës Socialë, dhe deri tani Komisioni i Licensimit ka miratuar 300 licensat e para të punonjësve social të kualifikuar dhe po vazhdon paralelisht punën duka shqyrtuar dhe analizuar cdo kandidati.
Në fjalën e saj, Ministrja Manastirliu nënvizoi fuqizimin e rolit të punonjësit social në protokollet e shërbimit spitalor, por edhe në shërbimin parësor me krijimin e qendrave socio-shëndetësore.
“Vëmendja jonë është në fuqizimin e rolit të punonjësit social, në zgjerimin e bazës së shërbimeve ku punonjësi social të jetë pjesë integrale. Strategjia jonë e kujdesit parësor përmban pikërisht një komponent kyç që ka të bëjë me komponentin socio-shëndetësor, integrimin e shërbimeve që ofrohen në shëndetësi, ku një rol me të rëndësishëm ka figura e punonjësit social dhe psikologut brenda kujdesit parësor.
Prof. Asoc. Dr. Eliona Kulluri, Përgjegjëse e Departamentit të Punës dhe Politikave Sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale Tiranë gjatë fjalës së saj u ndal tek rëndësia e profesionit të punës sociale.
“Tema e Ditës Boterore të Punës Sociale është shumë e lidhur me zhvillimet që ka patur profesioni ynë ndër vite dhe në linjë edhe me të gjithë filozofinë e programeve të studimit në Punë Sociale.
Principet e drejtësisë sociale, të drejtat e njeriut dhe respekti për diversitetin janë komponentë esencialë të formimit në degën e Punës Sociale dhe si rrjedhojë edhe të praktikës së punës sociale në terren”.
Në fjalen e tij përfaqësuesi i zyrës së UNICEF në Shqipëri theksoi faktin se UNICEF në Shqipëri ka mbështetur ndër vite profesionin e punës sociale përmes partneritetit dhe bashkëpunimit në shumë fusha të politikave sociale, shërbimeve sociale dhe ndërtimin e kapaciteteve të profesionistëve dhe do jenë pranë në çdo përpjekje për ta forcuar rolin e punonjësit socialë në Shqipëri.
Ky aktivitet u zhvillua me me mbështetjen e Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , UNICEF Albania dhe European Union in Albania , përmes programit “BE për Përfshirjen Sociale”,Është muaji mars, është muaji i punës sociale!