ANËTARËSIMI NË URDHËR
April 13, 2023
Janë anëtarë të Urdhrit të Punonjësve Socialë të gjithë punonjësit socialë që përmbushin kriteret e mëposhtme:
- të jenë shtetas shqiptarë;
- të zotërojnë diplomë të studimeve të larta “Bachelor” në fushën e punës sociale dhe diplomë të nivelit të dytë “Master Shkencor/Profesional” në të njëjtën fushë, lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, si dhe të njohura e të njëhsuara në Republikën e Shqipërisë nga ministria përgjegjëse për arsimin. ndryshuar
- të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje, në momentin e kërkesës për anëtarësim;
- të njohin dhe të zotohen me shkrim se do të zbatojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi, statutit, dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë të Punonjësit Social.
Shtetasit e huaj
Shtetasit e huaj, për ushtrimin e profesionit të punonjësit social në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të anëtarësohen paraprakisht në Urdhrin e Punonjësve Socialë të Republikës së Shqipërisë dhe të njohin të gjitha aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë profesionin e punonjësit social. Punonjësi social, shtetas i huaj, që të ushtrojë profesionin si rezident në Shqipëri apo i atashuar në një institucion ku vjen periodikisht për ushtrimin e profesionit, duhet të ketë edhe këto dokumente:
- lejen e qëndrimit dhe të punës në Republikën e Shqipërisë;
- certifikatën e mirësjelljes (Good Standing Certificate) nga urdhri/dhoma apo shoqata e punonjësve socialë të vendit të vet, ku vërtetohet se është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se nuk ka marrë masa ndëshkimore;
- njohjen e diplomës dhe certifikatave të specializimeve të kryera prej tij;
- një rekomandim nga një specialist vendas i së njëjtës fushë, anëtar i Urdhrit të Punonjësve Sociale.
Për punonjësin social të huaj, i cili nuk njeh gjuhën shqipe, detyrimisht është kusht të punojë me përkthyes.
Anëtarët e Urdhrit kanë detyrim të paguajnë rregullisht kuotizacionet e anëtarësisë, tarifat e regjistrimit, të licencimit dhe për shërbime të tjera administrative.