Dita Botërore e Punës Sociale!

Në kuadër të Ditës Botërore të Punës Sociale, sot Urdhri i Punonjësve Socialë në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe me mbështetjen e UNICEF Shqipëri, përmes programit “Askush të mos mbetet pas”, financuar nga Agjencia Zviceriane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, nëpërmjet EU4SI, organizuan Forumin e Parë Kombëtar të Punonjësve Socialë: “FUQIZOJMË PUNONJËSIT SOCIALË”!

Forumi Kombëtar i Punonjësve Socialë është një ngjarje e rëndësishme ku  punonjësit socialë nga e gjithë Shqipëria u bënë bashkë për të ndarë përvoja, shkëmbyer ide dhe zhvilluar strategji të reja për të përballuar sfidat me të cilat ndeshen punonjësit socialë.

Në këtë forum u diskutuan prioritetet e reja për zhvillimin e fushës së punës sociale në Shqipëri, duke përfshirë nevojat për rritjen e kapaciteteve të punonjësve socialë, identifikimin e sfidave, përmirësimin e politikave në lidhje me profesionin e punës sociale si dhe për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me rëndësinë e profesionit.

Punimet e këtij Forumi u përshëndetën nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj. Albana Koçiu, Ambasadorja e Zvicrës Znj. Ruth Huber, Përgjegjësia e Departamentit të Punës dhe Politikave Sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT, Znj. Eliona Kulluri dhe Zv. Perfaqësuesja e UNICEF Shqipëri, Znj. Edina Kozma.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj. Albana Koçiu gjatë fjalës së saj theksoi rolin e jashtëzakonshëm që punonjësit social kanë për t’iu ofruar shërbime atyre që përballen me sfida delikate në jetën e tyre. Znj. Koçiu shprehu angazhimin dhe vendosmërinë për të advokuar me qëllim të fuqizimit të profesionit të punës sociale në Shqipëri.

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Znj. Ruth Huber u shpreh se puna e punonjësve social duhet nderuar. Përkushtimi dhe kontributi I punonjësve social është jetik për ndërtimin e një shoqërie më të fortë dhe më përfshirëse.  

Prof. Asoc. Dr. Eliona Kulluri, Përgjegjëse e Departamentit të Punës dhe Politikave Sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale Tiranë, gjatë fjalës së saj u shpreh se Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale do të jetë i fokusuar në përmbushjen e misionit akademik të punonjësve social në tre nivelet e studimeve, duke patur në qëndër të vëmëndjes ndjekjen e zhvillimeve të reja të tregut të punës në vend, nëpërmjet punës kërkimore dhe përshtatjes e pasurimit të kurrikulës me zhvillimet globale.

Në fjalen e saj Zv.Përfaqësuesia e zyrës së UNICEF, në Shqipëri Znj. Edina Kozma theksoi faktin se UNICEF do vazhdojë të kontribojë për forcimin e rolit të punonjësve social dhe mbështetjen e shërbimeve të kujdesit social në kuadër të strategjisë kombëtare të mbrojtjes sociale në Shqipëri.

Forumi vijoi diskutimet në dy sesione të tjera të ndarë sipas sektorëve ku pjesmsarrësit diskutuan për rolin e punonjësit social në sistemin arsimor, shëndetësor, shërbimeve sociale të integruara dhe për rolin e punonjësit social në sistemin e drejtësisë.