“30 vite Punë Sociale në Shqipëri”,
June 29, 2023
Në kuadër të 30 vjetorit të krijimit të Punës Sociale, sot në ambientet e Hotel Tirana International u zhvillua aktiviteti për të prezantuar studimin “30 vite Punë Sociale në Shqipëri”, studim i zhvilluar nga Urdhri i Punonjësve Socialë nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Dragoti me mbështetjen e Terres des homme Shqipëri dhe GIZ Albania.
Në këtë aktivitet morën pjesë punonjës socialë, përfaqësues nga Departamenti i Punës Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale Tirane, përfaqësues të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, përfaqësues të Terres Des Homme, përfaqësues te GIZ Albania dhe përfaqësues të institucioneve publike.
Për të ndarë gjetjet e këtij studimi mbi rrugëtimin 30 vjeçar të punonjësve socialë në vend si dhe rekomandimet e propozuara për fuqizimin e rolit dhe kontributin e punonjësve socialë në të ardhmen, aktiviteti u realizua në dy panele.
Pjesa e parë e panelit u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Urdhrit të Punonjësve Socialë Z. Mirgit Vataj, Nënkryetares së Bashkisë Tiranë Znj. Anisa Ruseti dhe Znj. Enkelejda Kallçiu, Drejtuese e Zyrës Kombëtare Terre des hommes Shqipëri.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë, Z. Mirgit Vataj, theksoi rëndësinë e studimit për të identifikuar sektorët ku punonjësit socialë ushtrojnë profesionin e tyre. Ky studim siguron një mekanizëm të rëndësishëm për të ndihmuar Urdhrin në bashkëpunimin me institucionet për të krijuar hapësirat e nevojshme për punonjësit socialë në ushtrimin e profesionit të tyre.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Znj. Anisa Ruseti, u ndal tek roli i Bashkisë Tiranë si promotor i profesionit të punës sociale. Shërbimet sociale të Bashkisë së Tiranës ofrohen nga punonjës socialë të përkushtuar dhe profesionistë, dhe bashkia do të vazhdojë të mbështesë këta punonjës duke i konsideruar ata si hallkën më të rëndësishme në implementimin e politikave sociale.
Drejtuesja e Zyrës Kombëtare të Terre des hommes Shqipëri, Znj. Enkelejda Kallçiu gjatë fjalës së saj përmendi rolin e rëndësishëm të Terre des hommes Shqipëri në ofrimin e shërbimeve sociale dhe në rritjen e kapaciteteve të profesionistëve, veçanërisht punonjësve socialë. Organizata është fokusuar në njohjen e nevojave të profesionistëve dhe ofrimin e ekspertizës së nevojshme për të garantuar standardet më të larta në ofrimin e shërbimeve nga punonjësit socialë.
Në pjesën e dytë u prezantuan të dhëna e studimit në lidhje me anagazhimin e punonjësve socialë në të gjithë sektorët. Sipas këtij studimi rezulton se sektori i arsimit ka numrin më të lartë të punonjësve socialë të punësuar me 29%. Sektori i OJF-ve gjithashtu vazhdon të mbetet një sektor i rëndësishëm punësimi për punonjësit social me 14% bashkë me Njësitë Administrative. 10% e punonjësve socialë janë të punësuar në shërbimet sociale publike rajonale dhe kombëtare, 5% në sistemin shëndetësor, 3% në sistemin e drejtësisë dhe 1% punonjësve socialë janë të punësuar në sektorin privat.
Studimi dhe takimi u mundësuan në kuadër të projektit “Ri-integrimi i Qëndrueshëm Socio-Ekonomik i Migrantëve të Kthyer në Shqipëri” të financuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (#GIZ) GmbH, i cili zbatohet nga Terre des Hommes Shqipëri
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “𝑅𝑖-𝑖𝑛𝑡𝑒𝑔𝑟𝑖𝑚𝑖 𝑖 𝑄𝑒̈𝑛𝑑𝑟𝑢𝑒𝑠ℎ𝑒̈𝑚 𝑆𝑜𝑐𝑖𝑜-𝐸𝑘𝑜𝑛𝑜𝑚𝑖𝑘 𝑖 𝑀𝑖𝑔𝑟𝑎𝑛𝑡𝑒̈𝑣𝑒 𝑡𝑒̈ 𝐾𝑡ℎ𝑦𝑒𝑟 𝑛𝑒̈ 𝑆ℎ𝑞𝑖𝑝𝑒̈𝑟𝑖” të financuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (#GIZ) GmbH, i cili zbatohet nga Terre des Hommes, në bashkëpunim me bashkitë e Lezhës, Kukësit, Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
#GIZ #Migrants #Socio_Economic #Reintegration #Social_Work #Threedecades #challenges #achievements